Partizani përballet me Tiranën në Air Albania sot në orën 19:00 për të zhvilluar ndeshjen e javës së 33-të të Superiores. Fitorja është detyrim si gjithnjë, jo vetëm për derbin, por edhe për të parakaluar Vllazninë që ka një ndeshje të vështirë me Egnatian. Vendi i dytë është objektivi kryesor pasi të siguron pozitën e favoritit në Final Four.
Megjithatë, ‘Demat’ nuk mendojnë aq larg dhe janë të fokusuar totalisht për të mundur rivalët kryesor. Trajneri Orges Shehi i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve në stërvitjen e djeshme, por dilemat janë kaq shumë për të.
Nga porta deri në majën e sulmit, dilemat janë në secilin repart. Balotazh mes Pano Qirkos dhe Alban Hoxhës me këtë të fundit që është parë shpesh të veshë dorezat në ndeshej decisive. Është zgjedhje e gjitha personale e trajnerit dhe shanset janë 50/50 për të dy gardianët.
Mungesa e Atanaskoskit për kartona sjell një balotazh tjetër. Logjikisht vendin e tij e zë Paolo Buxhelaj, por alternativë është edhe Andi Hadroj në të majtë dhe Murataj në të djathtë ashtu siç luajti edhe ndaj Dinamos. Kjo e dyta do t’i sillte më shumë eksperiencë në repartin defansiv.
Opsione të shumta në mesfushë e sulm. Maguette, Rrapaj e Cara janë 100% të sigurtë për fanellën e titullarit, ndërsa Skuka e Mba mbeten ‘peng’ të modulit. Nëse Shehi vendos të luajë me dy sulmues, si në derbin e fazës së 3-të, atëherë të dy do të jenë në majë të mbështetur nga Cara pas tyre.
Megjithatë, edhe Bintsouka ka rritur kuotat e tij pas paraqitjeve pozitive në ndeshjet e fundit. Një mes dy afrikanëve do ta nisë nga stoli.
Formacioni i mundshëm:
Partizani (4-4-2) – Qirko (Hoxha); Hadroj, Sota, Sembene, Buxhelaj; Murataj, Maguette, Rrapaj, Cara; Skuka, Mba (Bintsouka). Trajner: Orges Shehi