Shoqata “Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit” (BASHF), ka vlerësuar përmes një postimi në rrjetet sociale, kontributin e arbitrit Egin Doda.
Për këtë të fundin, ndeshja Tirana – Vllaznia, rezultoi e fundit në karrierrë. Ndërsa në foton zyrtare nuk munguan krah gjyqtarit edhe trajnerët respektivë të Tiranës e Vllaznisë, Orges Shehi dhe Edi Martini.
“Vlerësim për anëtarët tanë! Një jetë në shërbim të futbollit shqiptar. Pas gati tre dekadash kontributi në arbitrim, Egin Doda zhvilloi ndeshjen e tij të fundit si asistent arbitër, në takimin mes Tiranës dhe Vllaznisë.
Përpara nisjes së ndeshjes, Presidenti i BASHF-së, Tahir Kastrati, dhe kryetari i Kolegjiumit Tiranë 'Luan Zylo', Bujar Pregja, e vlerësuan për kontributin e tij ndër vite.
Egin Doda iu përkushtua arbitrimit që prej vitit 1997, duke gjykuar shumë ndeshje në futbollin shqiptar me profesionalizëm, korrektësi dhe përkushtim.
Të mërkurën, ai mbylli zyrtarisht karrierën e tij si arbitër, duke lënë pas një rrugëtim të gjatë dhe të respektuar në shërbim të lojës. Faleminderit për gjithçka, Egin Doda”, shkruhet në postimin e BASHF-së.
