
Ekipet e kryeqytetit në këtë sezon nuk po kalojnë aspak një moment të mirë. Partizani dhe Tirana pas 5 javëve kampionat ndodhen në zonën e ftohtë në klasifikim, teksa i ndajnë vetëm 2 pikë.
“Të kuqtë” mbajnë vendin e 8-të me 4 pikë, ndërsa bardheblutë mbyllin tabelën e renditjes me vetëm 2 pikë. Ndeshja e radhës për ta është derbi. Të dyja ekipet do të luajnë mes tyre derbin e parë sezonal në “Air Albania”.
Por para kësaj sfide një detaj interesant tregon se si “Demat” ashtu edhe bardheblutë janë “identikë”. Detaji që i bën bashkë rivalët e kryeqytetit është numri i golave të shënuar dhe pësuar në 5 javët e para të Superiores.
Të dyja ekipet kanë pësuar nga 8 gola, duke treguar se kanë të njëjtën paraqitje në këtë sezon, por bashkë me Flamurtarin kanë mbrojtjen më të keqe në Superiore.
Nga ana tjetër ia kanë dalë të çojnë topin në rrjetë vetëm 3 herë. Golavarazhi është -5 dhe mbetet të shihet se cila prej ekipeve do të dalë fitimtare nga “Air Albania”.