
Ndeshja Vllaznia – Partizani e përfunduar me shifrat 4-1 ka prodhuar debat edhe në panelet sportive. Shumë raste të diskutuara në një takim ku edhe arbitri Olsid Ferataj fitoi protagonizëm. E pikërisht për këtë, në studion e emisionit “Skaner” moviolisti Bujar Pregja diskutoi një për një rastet. I ftuar ishte edhe Sulejman Starova, ish trajneri i të kuqve, tashmë në rolin e shefit të trajnerëve në Federatën Shqiptare të Futbollit.
“Bobi” foli pa klishe duke thënë gjithçka siç e mendonte, mbështetur në atë që i servirej sipas pamjeve filmike. Në një moment të ndeshjes, Ardit Krymi ndërhynte nga pas lojtarit të Partizanit, por për gjyqtarin gjithçka ishte e rregullt. Ndërkohë në studio u diskutua se ishte në kufijtë e kartonit të kuq. Disa gabime të përsëritura sipas analistëve nga ana e gjyqtarit, i cili nuk i shpëtoi as kritikës së Starovës.
“Më duket paska qenë i lodhur. Paska qenë në gjumë”, ishte një nga komentet e Starovës në studion e emisionit të drejtuar nga Gert Çarçani. Të gjithë të ftuarit ishin njëzëri të bindur se Olsid Ferataj kishte bërë disa gabime rresht në përballjen mes shkodranëve dhe të kuqve.