Tirana fitoi me Bylisin në fundjavë dhe kështu Magani debutoi me sukses në rikthimin tek kryeqytetasit. “Bardheblutë” ishin perfekt ndaj ballshiotëve dhe kjo duket se ka kënaqur teknikun e tyre.
Ish-trajneri i Lushnjes ka vendosur që klubi i Tiranës të marrë dy ditë pushimi pas sfidës së Superiores, duke shpërblyer djemtë për punën e kryer nën drejtimin e tij. Kjo vjen dhe si pasojë e kohës në dispozicion pasi kampionati është futur në pauzë prej Nations League.
Skuadra bardheblu do të kthehet në stërvitje në ditën e mërkurë siç është programuar nga tekniku peqinas. Kjo për të nisur direkt përgatitjet për sfidën e radhës. Ky takim është i rankut të lartë, pasi përballë vihet Elbasani. Në ekip mungon ende Prengaj, kurse lajm pozitiv është kthimi i Përgjonit, që luajti ditën e diel.
Kartonët e verdhë vazhdojnë të jenë problematikë ende për Micin dhe Gjumsin, të cilët shpëtuan nga një ndëshkim kësaj here po nëse ndaj elbasanasve merrret një i tillë ata skualifikohen për një takim. Dhe kjo vjen për Derbin e Tiranës.