Vora ka fituar përballë Bylisit në ndeshjen e vlefshme për javën e 18-të të Superiores. Sfida që u zhvillua në stadiumin “Selman Stërmasi”, përfundoi me shifrat 4-1. Pas këtij dueli ka folur trajneri i ballshiotëve, Mirel Josa.
“Ishim të detyruar për shumë lëvizje që kishim bërë në skuadër, për mungesat që kishim. Problemi nuk ishte vetëm këtu. Kishim edhe lojtarë të tjerë që ishin në limitin e numrit të kartonëve. Kjo e zbehu luftën në mesfushë. Gjithashtu, në momente të veçanta ne u nxituam dhe gabimet individuale na sollën zhvillimin e kësaj ndeshje të dobët.
Na bie ngarkesa neve si staf dhe gjithë lojtarëve. Në momente të veçanta, në dyluftimet ishin shumë mbrapa. Jam dakord me vërejtjet në sulm. Problemi është se neve në pjesën e sulmit dhe jo vetëm, kishte probleme me lojtarët që marrin pjesë në ato manovra. U detyruam në pjesën e dytë që të dalim në 4-2-3-1, që s’më shërbeu ashtu siç duhet, për faktin se, kur rezultati mori një rrugë të tillë, s’mund të rrezikonim më tepër. Pasi lojtarë të tjerë i kemi me kartonë.
Dalja e portierit tuaj? Kjo s’do të thotë asgjë. Portieri kërkoi zëvendësim. Kjo për arsye dëmtimi. Nga momenti që ishte fundi i pjesës së parë, donim të shikonim gjendjen e tij për vazhdimësinë e pjesës së dytë. Festa duhen gëzuar, sepse futbolli i tillë është”, tha Josa.

