Superiorja ka nisur të mësojë edhe verdiktet e para të saj. Kështu Egnatia arriti të sigurojë matematikisht një vend në “Finla – Four” pas fitores ndaj Laçit. Tashmë vëmendja do të kthehet te java e 33-të e kampionatit, ku ndeshje mjaft spektakolare janë në program, të cilat kulmojnë me derbin e kryeqytetit.
Kjo javë do të luhet në fundjavë, më saktësisht të shtunë dhe tëë dielë. Të shtunën do të luhen dy sfidanë orën 18:00. Kështu Skënderbeu do të presë në shtëpi skuadrën e Erzenit. Korçarët kërkojnë fitoren për të luftuar deri në fund për një vend në “Final – Four”, ndërsa Erzeni nga ana tjetër lufton për të mbijetuar në Superiore.
Paralelisht luhet edhe dueli mes Dinamos dhe Laçit. “Blutë” u mposhtnë nga Partizani dhe tashmë synojnë rikthimin te fitorja për të mos rrezikuar “Final – Four”, teksa kanë kuotë të njëjtë pikësh me Tiranën që ndodhet në vendin e 4-të me 46 pikë. Gjithashtu edhe Laçi u mposht këtë javë dhe ndaj “Nëndetëses” synon fitoren për t’iu larguar zonës “Play-Out”.
Të dielën do të luhen 3 takimet e tjera. Egnatia dhe Vllaznia do të përplasin “brirët” mes tyre në “Egnatia Arena” në orën 15:00. Kjo përballje vjen menjëherë pas duelit mes tyre në Kupën e Shqipërisë.
Ndërkohë një duel delikat për mbijetesën do të luhet në “Kukës Arena” mes Kukësit dhe Teutës, ora 15:00. Verilindorët do të synojnë vetëm fitoren, pasi humbja për ta do të ishte fatale, teksa durrsakët kërkojnë t’iu largohen sa më shumë “Final - Four”.
Vëmendja në orën 19:00 do të jetë e gjitha në “Air Albania” aty ku do të zhvillohet derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit. Sfidë spektakolare dhe mjaft delikate për të dyja klubet që kërkojnë të sigurojnë vendin e dyte në “Final – Four”. Një sfidë ku vlen më shumë se 3 pikët, vlen për krenarinë e një qyteti dhe si demat ashtu edhe bardheblutë duan fitoren në derbin e 4-të të këtij sezoni mes tyre. Në fakt emocionet kanë nisur të ndjehen që tani, teksa kryeqytetit do të “gumëzhijë” nga tifozët.