
Kanë mbetur edhe 5 javë nga përfundimi i Kategorisë Superiore, pa përfshirë ndeshjet e “Final 4”. Një garë shumë e ashpër deri më tani, si për vendin e parë në kampionat, po ashtu edhe me ekipet që kërkojnë mbijetesën.
Megjithatë, gara nuk është vetëm mes skuadrave të Superiores, por edhe kush do të shpallet golashënuesi më i mirë i kampionatit deri në përfundim. Deri tani lista e golashënuesve më të mirë kryesohet nga Bekim Balaj i Vllaznisë, me 14 gola të realizuar.
Me 13 gola shënuar gjendet i dyti Regi Lushkja i Egnatias, i cili pozicionin e ka si mesfushor. I treti në listë është Peter Itodo me 12 rrjeta të prekura. Një vend më poshtë gjendet shoku i tij i ekipit, Baton Zabërgja me 11 gola të shënuar. Ndërsa vendi i 5-të ndahet nga Bregu i Dinamos dhe Jarmouni i Tiranës me 10 gola të shënuar.