
Partizani nuk merr më shumë se një barazim në shtëpi përballë Marsaxlokk, e vlefshme për raundin e parë kualifikues të Conference League.
Edhe pse e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme sfidën, me golin e kapitenti Valentino Murataj në minutën e 2’, Demat nuk ia dolën të merrnin fitoren në shtëpi edhe pse ishin favorit absolut në letër. Në përfundim të ndeshjes, trajneri Orges Shehi dha prononcimin e tij për mediet.
“Futboll luajën të gjithë, kundërshtari ka lojtarët e vet cilësor. Nuk është e drejtë të quhen inferior. Ne patëm rastet tona. Pasi mbyllet kampionati ka paqartësi. Po të shfrytëzonim raste do të kishim rezultat më të mirë. Kualifikimi është me dy ndeshje dhe të rikuperojmë forcat për t’u përgatitur për tjetrën.
Kundërshtari u mbyll në pjesën e dytë në portë. Mund të bënim më mirë, e filluam keq ndeshjen pasi shënuam shpejtë dhe më pas një mospërqëndrim i një lojtari i jep mundësin kundërshtarit të barazojë. Dolëm para portes, por ishte ndeshja e parë dhe dëshira e madhe për të fituar bën të gabosh. Kur kundërshtari mbyllet prapa duhet qarkullim më i shpejtë i topit. Mund të tentonim më shumë.
Kemi 1 javë kohë, vijmë pas fazës dhe kjo është ndeshja e parë. Duhet vetëm qartësi dhe freski. Do të mundohemi këtë javë të punojmë për t’u përmirësuar e të kualifikohemi në Maltë.
U kam thënë edhe djemve që verën europiane ta shtyjmë sa më gjatë. Objektivi kryesor është kualifikimi në Maltë”, tha Shehi.