Elbasani dhe Bylis kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 26-të të “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, përfundoi me shifrat 1-1. Pas këtij dueli ka folur trajneri i ballshiotëve, Mirel Josa.
“Kam thënë që vazhdimësia na ka penguar shumë. Kemi bërë dy ndeshje të mira e pastaj keq. Por sot skuadra ishte më e konsoliduar dhe e përqendruar. Në pjesën e parë nuk i lamë hapësira Elbasanit, i detyruam të kthenin topin mbrapa. Ne ishim të përqendruar në veprimet tona në mbrojtje, por kur të fitonim topin duhej të kishim qetësi, sidomos në krahun ku dilte Lila i cili përparonte më para. Këtë duhej të kishim kujdes, pavarësisht se do të vinte loja kur pësuam golin. Aty duhej të zgjidhnim më mirë problemet. Duhej të kishim shënuar golin e dytë te momenti që Pedro nuk pasoi te lojtarët bosh në zonë e Elbasanit. Megjithatë, një pikë me Elbasanin në këtë situata nuk është keq. Ne të vazhdojmë përpara e të shohim si shkojnë punët.
Mendimi imë është që lojtari i mirë, që di të luajë futboll, mund të interpretojë të gjitha pozicionet që i jap e detyrat, se e shoh në stërvitje dhe ndeshje. Problemi është te gjendja fizike e lojtarëve si do vijë, nuk mund të kërkojmë shumë më tepër për shkak të gjendjes fizike të tyre. Ju e dini mendimin që kam për dublimin e krahëve, duke mos i lënë sidomos jashtë fushe me një skuadër që sulmon. Problemi është që kur fitojmë topin, duhet ta godasim këtë kundërshtar, se po qëndrove duke pritur gjithë kohës, do ta pësosh.
Në momentin që ne fitonim topin në mesfushë, duhej të kishim një farë qetësie dhe duhej të godisnim krahët, se Elbasani siç e pamë boshatisej në krahë me daljen e Lilës përpara e disa herë dhe me Mustën. Aty kishim vënë dy lojtarë të shpejtë, Pedro është një lojtar që di të luajë në sulm, ka probleme në fazën mbrojtëse, por në sulm di të godasë zonat e kundërshtarit dhe është shumë i qartë. Mendoj që duhej të ishim rinisur në mënyrën më të drejtë, duke i dhënë kohë lojtarëve të shkonin sipër se nuk kanë motor. Duhet t’i japim kohë që të ngritën më shpejt që të godasin zonat e kundërshtarit.
Ne rrezikuam shumë herë, sidomos në 20 minutat e fundit, por aty gjithsecili ka përgjegjësitë e veta, për zonën ku lufton. Unë nuk kthehem kurrë me 5 mbrapa, nuk më pëlqen ajo punë e nuk kam për ta bërë ndonjëherë. Gjithsecili është përgjegjës për zonën e vet dhe dyluftimin që ka, ne duhej të ishim më të qartë në dyluftim, në kthimin e topit, që të mos i zotëronte vetëm Elbasani, që t’i jepnim kohë mbrojtjes tonë të dilte në mbështetje”, u shpreh Josa.
