
Ethet e derbit të kryëqytetit kanë kapluar të gjithë tifozët e Tiranës dhe Partizanit. Ditën e nesërme në “Arenën e Demave” do të zhvillohet supersfida Partizani-Tirana që do të ndiqet me shumë entuziasëm nga tifozët. Në prag të kësaj sfide, ish-i i Partizanit të moshave dhe i Tiranës, Eni Imami ka dhënë një prononcim ekskluziv për “Newsport.al” rreth derbit të kryeqytetit dhe sezonit të tij aktual me Vorën në Kategorinë e Parë.
“Partizani ndodhet në garë për titull kampion, Tirana në luftë për mbijetesë, por asnjëra nga skuadrat nuk ka mundur të fitojë asnjë derbi këtë sezon. Si e komentoni këtë pjesë?
Është një derbi që vjen në një situatë të pazakontë për mënyrën si jemi mësuar t’i shikojm këto ekipe. Por që gjithmonë një ndeshje si kjo, pavarësisht renditjes duket gjithmonë sikur po luhet për vendin e parë.
Përsa i përket pjesës që të dyja derbit e para këtë sezon janë mbyllur në barazim, mund t’i kuptoj lojtarët deri diku. Për faktin që kur e shikojnë se nuk po fitojnë dot, më mirë barazim dhe nuk e kanë atë presionin e humbjes as nga drejtuesit e as nga tifozët.
Ky është derbi i parë i kryeqytetit që zhvillohet në “Arenën e Demave”, mendoni se është ky një ogur i mirë për Partizanin pritës?
Unë jam fans i pjesës që të fitojë futbolli. Kam përshtypjen që fusha sintetike do e penalizojë disi lojën e shpejtë dhe të bukur, por që asnjëherë nuk i dihet.
Tirana këtë sezon ndodhet në një situatë shumë delikate, çfarë mendon se mund ta shpëtonte sezonin aktual të bardhebluve?
Ajo që mund të shpëtojë Tiranën janë fitoret. Nuk ka rëndësis nëse fitorja vjen në derbi, apo me Skënderbeun, në fund janë ato 3 pikë që vlejnë, sigurisht vlejnë dhe fitoret ndaj kundërshtarëve direkt.
Fitorja në derbi është e domosdoshme për të dyja ekipet, por cila nga Tirana apo Partizani do të ngrihej më shumë moralisht për objektivat e tyre?
Mendoj se fitorja këtë radhë në derbi do t’i nevojitej më shumë Tiranës, për pozitën që ndodhet. Ndërsa Partizani është në rregull pasi ndodhet në “Final 4” dhe ka mundësi gjithmonë të rikuperojë pikë. Ndërsa bardheblutë ndodhen në zonën e ftohtë dhe nuk i falen gabimet.
Dhe në fund, cili mendon se e fiton derbin e kryeqytetit, Partizani apo Tirana, nëse keni një rezultat në mendje?
E thashë dhe më parë, unë dëshiroj që të fitojë futbolli dhe të bëhet një derbi i bukur dhe jo si dy të kaluarit, duke parë orën se kur do të mbarojë ndeshja.
Përsa i përket sezonit tuaj aktual, a mendoni se do të shpalleni kampionë të Kategorisë së Parë me Vorën dhe të ngjiteni në Superiore sezonin e ardhshëm?
Mendoj se jemi në rrugën e duhur dhe me fitoren që arritëm sot ndaj Erzenit, kemi një kalendar të favorshëm. Kemi çdo mundësi për të hyrë në histori, me Vorën që do të ngjitet për herë të parë në Superiore dhe nuk do të jetë kalimtare, jua siguroj këtë gjë”, shprehet Eni Imami. /Leonid BAJRAMI/