Pas largimit nga skuadra e Dukagjinit, në Superligën e Kosovës, trajneri Ismet Munishi u përfol për një kalim të mundshëm në Superioren e Shqipërisë. Disa media në Kosovë, raportuan se Partizani është në bisedime me të.
Megjithatë, vetë Munishi është kontaktuar nga Newsport.al. Ai ka mohuar kategorikisht që të jetë në bisedime apo të jetë kontaktuar nga klubi i Partizanit, duke “hedhur poshtë” zërat e një bashkëpunimi midis palëve.
“Jo, nuk jam kontaktuar, nuk ka asgjë të vërtetë”, ka thënë shkurt Ismet Munishi për Newsport.al. Kujtojmë se 51-vjeçari ka një karrierë të pasur si trajner në Kosovë. Ai ka drejtuar ekipe si Dukagjini, Ferizaj, Prishtina, Gjilani, Ballkani, Vëllaznimi, Drita dhe Vushtrria.
