
Elbasani e nisi me marsh të pestë këtë sezon futbollistik duke treguar në fillim se do të jenë rivalë të frikshëm në elitën e futbollit shqiptar. Megjithatë, me kalimin e javëve shkëlqimi i verdhebluvë nisi të zbehej. Tanimë "Final Four" duket si mirazh, ndërsa situata me dëmtimet në kampin elbasanas nuk është shumë pozitive.
Pas barazimit pa gola me Teutën, trajneri Ivan Gvozdenoviç duhet të bëjë mirë llogaritë. Nuk do të ketë mungesa për shkak kartonësh, megjithatë një gjë e tillë pritet të ndodhë prej dëmtimeve. Edon Hasani me shumë mundësi nuk do të jetë i gatshëm për takimin e radhës kundër Dinamos, sikurse edhe Arsen Lleshi.
Në dyshim është edhe Bruno Lulaj. Kapiteni ende nuk dihet nëse do të mund të rikuperohet për këtë sfidë të rëndësishme të javës së 30-të. Pritet me interes të shihet se çdo të ndodhë, teksa ndeshja Dinamo - Elbasani është programuar të luhet të dielën në orën 18:00.
Aktualisht, Elbasani ndodhet në vendin e pestë me 36 pikë, 7 më pak se vendi i katërt, Partizani. Ndërsa Dinamo në të dytin me 50 pikë.