Bekim Balaj kryeson listën e golashënuesve në Superiore. Sulmuesi shkodran ka arritur të shënojë 8 gola në 10 ndeshje të luajtura deri më tani në kampionat.
Pas tij renditet Itodo Peter Mandela me 6 gola, me sulmuesin e Dinamos që ka arritur të dhurojë edhe 2 asiste në 11 ndeshje të luajtura. Me 5 gola vjen Ermir Rashica, ndërsa me nga 4 renditen Binsouka, Mala dhe Ze Gomesh. Pikërisht për këtë të fundit vë bast presidenti i Elbasanit, Kujtim Llupa.
Kreu i verdhebluve shprehet i bindur se Ze Gomes do të arrijë të shënojë më shumë gola deri në fund të kampionatit dhe për këtë vë bast në “Rubrikën Sportive” në RTSH.
“Balaj apo Ze Gomes? Janë dy lojtarë të ndryshëm. Bekim Balaj ka një eksperiencë disa vjeçare. E njoh edhe personalisht, por mendoj se Ze Gomes është më i mirë dhe do të shënojë më shumë gola, (qesh) sepse është lojtari im.
Vëmë bast? Jam dakort, i pëlqej bastet.
Po nëse fitoni bastin? Do të sjell Ze Gomes në studio”, është shprehur kreu i ekipit të Elbasanit. Tashmë mbetet të shihet nesë Ze Gomes do të shpallet golashënues në fund apo jo dhe nëse LLupa do të fitojë bastin.