Vllaznia ka humbur përballë Dinamos mbrëmjen e sotme, në ndeshjen e vlefshme për “Final Four” e kampionatit, Superiore. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, përfundoi me shifrat 0-2 në favor të kryeqytetasve. Pas këtij dueli ka folur edhe trajneri i shkodranëve, Edi Martini.
“Humbëm një ndeshje ku pjesën e parë nuk e bëmë të mirë, pavarësisht se kishim rastet tona, po s’ishim mirë. Në pjesën e dytë rritëm lojën, rritëm shanset. Kartoni i kuq na penalizoi shumë, gjithsesi, nuk ishte lojë e mirë. Nuk duhet të humbej kjo ndeshje për asnjë arsye. Megjithatë, gabuam, për disa gabime që normalisht do i shikojmë dhe do nxjerrim konkluzione, sepse janë gabime thjesht komunikimit të njërit me tjetrin te reparti difensiv. Gjithsesi, humbëm një ndeshje që duhej ta fitonim.
Kjo humbje na ka ulur shanset tona për të qenë kampion. Kemi edhe dy ndeshje, nëse i fitojmë të dyja, besoj se do të jemi aty prapë. Normalisht janë dhe dy ndeshje, nëse do të arrijmë të fitojmë të dy ndeshjet, jemi përsëri kampionë. Janë dy ndeshje njëra më e vështirë se tjetra. Sot ndodhi, duke pasur parasysh se Dinamo kishte luajtur në mesjavë, kisha besim që mund ta fitonim këtë ndeshje. Gjithsesi nuk u treguam agresivë para portës, nuk e kërkuam golin siç duhet, pak edhe nervozizëm më shumë se sa duhet. Kështu që kanë mbetur dhe dy ndeshje.
Gabuam, në momentin që duhet të fitosh medoemos, ka nervozizëm, ka paqartësi, nuk ka kthjelltësi, kështu që mendoj se ky ishte gabimi që bëmë. Të qetësohemi sot, kemi kohë deri në fundjavë të diskutojmë. Ne duhet të fitojmë me patjetër ndeshjen. Të jemi të qetë, djemtë të ruajnë qetësinë në këto momente, se kanë nevojë për përkrahje. Deri në ndeshjen me Egnatian kemi 5-6 ditë kohë që të përgatitim ndeshjen. Duhet të jemi të qetë për momentin.
Më vjen keq në maksimum, megjithatë e thashë që janë edhe dy ndeshje, shpresojmë të rrisim nivelin e lojës dhe të shohim në fund. Kishim shumë raste, kalonte topi para portës, nuk kishim vendosmëri që të shkonim ta shtynim. Pak edhe mosbesim në vete për të fituar ndeshjen. Çështje mentaliteti, nevozizmi, por shpresojmë…
Alternativë për Bajramin? Kishte, po ta shihni kishim çuar në nxemje dhe i kisha gati. Porosita Bajramin që të ketë kujdes. Në ndeshjen e fundit na u vra Celikovic, në ditët e fundit nuk ka bërë stërvitje, Pusi ishte një alternativë. Por gjithsesi e thashë që kur gabojmë, gabojmë të gjithë, nuk dua të përmend emrat e njërit apo tjetrit. Gabojmë të gjithë, duke filluar nga unë i pari e deri te gjithsecili lojtar”, tha Martini.
