Fredy Alvarez ishte heroi i ndeshjes në derbin Tirana – Partizani, të fituar nga bardheblutë me rezultatin 2-1. Pikërisht për këtë lojtar që arriti të jepte një asist dhe të shënonte atë supergol nga distanca ka folur Shpëtim Duro.
Trajneri i njohur, aktualisht pa skuadër, tregoi se e njeh mirë 31-vjeçarin gjatë kohës kur luante me Shkupin. I ftuar te Rubrika Sportive në RTSH, Duro theksoi se stafi teknik i të kuqve duhej ta kishte studiuar më mirë shtatshkurtrin e fazës ofensive.
“Shikoni, goli i Alvarez nuk është rastësi. Unë e njoh mirë dhe e kam parë të shënojë disa gola kështu kur luante me Shkupin dhe unë isha trajner i Strugës. Mendoj se stafi teknik i Partizanit duhej ta kishte studiuar më mirë dhe për ta markuar një kundër një. Një lojtar të tillë nuk e lë dot vetëm, duhet doemos t’i vendosësh një markim të fortë”, tha Duro.
