
Partizani ka vuajtur gjatë këtyre viteve përsa i përket penalltive, ndërsa kujtimi i vetëm i bukur është kualifikimi kundër Ferencvaros në vitin 2016. Të kuqtë luajnë nesër kundër Egnatias në finalen e madhe të “Final 4”, që do vendosë titullin kampion.
Në rast se do të ketë barazim deri me shtesa, ndeshja do të shkonte me penallti. Aty Alen Sherri do t’i kujtonte Partizanit makthe të së shkuarës.
Portier shkodran eleminonte Partizanin 3 vite më parë, kur ishte pjesë e Laçit. Luhej çerekfinalja e Kupë së Shqipërisë dhe Sherri priste 2 penallti, me Laçin që fitonte më pas 4 me 3.
Në rast se historia do përsëritet me Egnatian, këto të fundit do të shpalleshin kampion. Kujtojmë se kampionatin e rregullt, të dyja skuadrat e mbaruan me pikë të barabarta.