Elbasani do të përballet këtë javë në transfertë me Bylisin, në ndeshjen e vlefshme për javën e 35-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Adush Muçaj” të Ballshit, do të nisë në orën 16:00.
Në prag të këtij dueli ka folur edhe trajneri i “verdhebluve”, Ivan Gvzodenovic. Ky i fundit është ndalur tek akuzat për tolerime si dueli përballë Vorës, por është shprehur se ai vetë nuk ka asgjë në dorë, që të komentojë diçka të tillë.
“Në jemi në rregull shumica, sot kemi stërvitjen e fundit, pastaj nisja për në Ballsh. Deri tani jemi në rregull. Patjetër ne jemi shumë të mërzitur, si gjithmonë kur ne humbim ndeshje. Tani kemi ndeshjen e radhës. Jemi mërzitur, por Vorën tani e kemi lënë mbrapa dhe përqendrohemi te ndeshja e radhës.
Prapë një ndeshje shumë e fortë, një ndeshje ku edhe Bylisi, edhe ne, kemi nevojë për pikët. Jam i sigurt që nesër do të shikojmë një ndeshje të fortë dhe pastaj do të fitojë kush është më i miri në fushë.
Ne jemi të motivuar maksimalisht, sepse deri tani nuk kemi fituar asgjë. Patjetër kemi fituar një objektiv të madh si klub, por duam gjithmonë më shumë. Motivimi ynë është në nivelin 10, domethënë maksimumi, kjo është situata.
Zërat për tolerime? Unë nuk mund të komentoj shumë sepse nuk kam asnjë gjë në dorë dhe unë kam punë vetë. Domethënë nuk kam koment, vetëm do të flasim për ndeshjen e radhës dhe jam i sigurt që kampionati shqiptar është shumë i fortë, shumë interesant. Deri në javën e fundit çdo skuadër do të luftojë fort.
Edhe ne. Ky është mesazhi im, do shikojmë punën tonë, do luftojmë fort në fushë pastaj prapë si do dalim e do bëjmë, do e tregojë fusha dhe do presim edhe pak”, tha Gvozdenovic.
