Abissnet Superiore ka hyrë në gjiron më vendimtare të sezonit, ku llogaritë e fundit për t’u përcaktuar janë ato të mbijetesës. E diela premton të tjera emocione, ku do të luhen 5 sfida në të njëjtin orar, 16:00, ashtu siç u zhvilluan këtë të mërkurë dhe të shtunën e javës së kaluar.
Një ditë që do të mbyllë dhe javën e fundit të kampionatit shqiptar, aty ku do të ketë përjetime të ndryshme, ku disa do të gëzojnë për qëndrimin, një tjetër do të presë “faturën” e rënies dhe enigma e “play-out”-it.
Nga Bylisi e deri tek Teuta! Plot 4 skuadra që po “shkruajnë” llogaritë e tyre të fundit sa i takon skenarëve, por fati i secilës prej tyre nuk do të vendoset në mënyrë direkte, pasi paralelisht “formula” e matematikës do të nxisë një “luftë” në distancë.
Sfida që spikat pritet të jetë ajo mes Bylisit dhe Vorës, të cilën mund ta quajmë dhe “finale” ose “jetë a vdekje” për të dyja këto skuadra të cilat mbajnë vendin e 7-të dhe respektivisht të 8-tin. Dy pikë është distanca mes tyre dhe gjithçka vijon të mbetet e hapur se kujt do t’i fundoset “shpresa e vetme” për të mbijetuar.
Po ashtu, edhe Teuta e cila për çudi ndodhet në zonën e ftohtë të rënies, kur në javët e hershme ndodhej pikërisht në mesin e artë të tabelës, duhet të bëjë llogaritë e saj pasi ndodhet në "ujëra të turbullt". Momentalisht, durrsakët mbajnë vendin e 9-të pas Vorës, me 39 pikë secila.
Të gjitha ndeshjet do të luhen në të njëjtën orë, ndaj dhe skuadrat që do të zbresin në fushë, do të kenë dhe një vëmendje shtesë paralelisht në takimet e tjera të rivalëve të drejtpërdrejtë.
