
Një aksident tragjik ndau nga gjiri i ngrohtë i familjes, miqve dhe të gjithë bashkëmoshatarëve dy adoleshentët në Shkodër.
Atëhere kur, plot ëndrra dhe dëshira, kishin nisur të “vraponin” furishëm drejt rrugës së jetës, dy të rinjtë humbën jetën pasi u aksidentuan teksa po udhëtonin me një motomjet.
16-vjeçari ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa miku i tij 13-vjeçar mbylli sytë përgjithmonë në krevatin e spitalit në Shkodër. Pavarësisht ndihmës së bluzave të bardha, i riu nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë një reagim prekës ka ardhur edhe nga ekipi “Fc Djelmnia Shkodrane 2017”, aty ku 13-vjeçari Fabian filloi të punonte fort për ëndrrën e tij për tu bërë një futbollist i madh.
"Lamtumirë Fabian…
Sot zemrat tona janë të thyera… U nda nga jeta shumë herët, në moshën vetëm 13-vjeçare,
Fabian Shpati, një djalë i artë dhe futbollist i talentuar i ekipit Djelmnia Shkodrane U13.
Një engjëll në fushë, gjithmonë me buzëqeshje, pasion dhe shpirt gare.
Ikja jote e parakohshme na ka lënë pa fjalë, por kujtimi yt do të jetojë gjithmonë në zemrat tona.
Pushofsh në paqe Fabian, fushat e parajsës tashmë kanë një kampion më shumë.
Lutje për shpirtin tënd dhe ngushëllime të sinqerta familjes Shpati dhe të gjithë miqve e shokëve", shkruhet në postim.
