
Armand Duka tregoi ditën e sotme se Federata Shqiptare e Futbollit ka aplikuar në UEFA për të marrë bashkë me Serbinë organizimin e kampionatit Europianin EURO 2027 për moshat U-21. Shumëkush mund të ngrejë me të drejtë pyetje pse vendi ynë zgjodhi si partner serbët, në një kohë kur mund të kishim Kosovën. Por, kjo përgjigje është e thjeshtë: Infrastruktura.
Duke qenë se ky kompeticion është i rëndësisë së veçantë, UEFA i ka të mirëpërcaktuara kushtet që një vend të mund të pranohet si organizator. Duke qenë se Shqipëria ka investuar dhe vijon të jetë insistuese në zhvillimin e sportit për meritë të FSHF-së, gjasat janë që mund të ketë një dritë jeshile. Megjithatë ka ende kohë.
Duhet evidentuar fakti se opsioni i parë ka qenë Kosova. Por, duke qenë se kosovarët s’i plotësojnë kushtet, por edhe vendi ynë i vetëm nuk mundet të organizojë një turne të një niveli të tillë, Serbia, Turqia dhe Belgjika ishin shtetet që mund të aplikonin. Ndërsa këto dy të fundit nuk kishin interes, serbët dhanë dritën jeshile për të kërkuar një shans në UEFA.
Për Shqipërinë është mjaft e rëndësishme sepse organizohet një eveniment madhor, ku publiciteti dhe të ardhurat padyshim janë të mëdha. Gjithashtu ekipi ynë kombëtar U-21 kualifikohet automatikisht në këtë kompeticion nëse gjithmonë UEFA do të pranojë që vendet organizatore të jenë Shqipëria dhe Serbia.