Gjykata e Durrësit ka caktuar masën “arrest me burg” për presidentin e klubit “Iliria” Nazmi Selmani dhe Petrit Selmanin, të cilët kërcënuan kreun e FSHF, Armand Duka.
Ndërsa është dhënë masa “detyrim paraqitje” për Redian Locin, Brajan Selmanin dhe Santiago Selmanin.
Personat në fjalë, të gjithë banues në Krujë më datën 30 gusht, rreth orës 21:30, kërcënuan me anë të një mesazhi telefonik, Armand Dukën. Më pas, rreth orës 22:30 ata i shkuan presidentit të FSHF-së në banesë me qëllim kërcënimin e tij.
“…..pyte nonen e kalamajve tuj pyti fmijt e tuj a i kam bo un me qajt…”, ky ka qenë mesazhi kërcënues që mori Duka.
Mesazhi kërcënues u dërguar nga presidenti i klubit të futbollit “Iliria”, Nazmi Selmani, i cili rezulton të jetë po ashtu edhe pronari i resortit të njohur në Fushë Krujë “Nord Park Resort”.
Presidenti i klubit “Iliria” e ka kërcënuar Dukën se pse nuk i merr të birin te Kombëtarja. Konkretisht bëhet fjalë për Gentian Selmanin i cili aktualisht është pjesë e ekipit të Tiranës. Gjithashtu ka qenë pjesë e ekipeve zinxhir të Kombëtares shqiptare, teksa me Kombëtaren A ka zhvilluar 4 ndeshje.