
Vllaznia, Gramshi, Apolonia dhe Partizani janë katër ekipet që do të luajnë në “Final 4”, nga ku do të shpallet edhe skuadra kampione e sezonit futbollistik 2024-2025 në Kategorinë Superiore për vajza.
Shorti do të hidhet nesër në “Shtëpinë e Futbollit”, në orën 12:00, ku do të përcaktohen dy përballjet gjysmëfinale.
Në vazon e parë do të jenë ekipet e renditura në vendin e 1-rë dhe të 2-të, në këtë rast Vllaznia dhe Gramshi, ndërsa në vazon e dytë do të jenë ekipet e renditura në vendin e 3-të dhe të 4-të, Apolonia dhe Partizani.
Ndeshjet do të zhvillohen me takime vajtje-ardhje, teksa sfidat e para do të luhen në fushën e ekipeve të renditura më poshtë në klasifikim. Në rast barazimi të pikëve pas dy takimeve të lojës së rregullt, skuadra e renditur më mirë në klasifikim kualifikohet për në ndeshjen finale.
Ekipi kampion i Kategorisë Superiore për vajza do të përfaqësojë Shqipërinë në raundin para-eliminator të UEFA Women’s Champions League, ndërsa skuadra e renditur në vendin e dytë do të marrë pjesë në raundin para-eliminator të UEFA Women’s Europa Cup, që do të zhvillohet për herë të parë në histori nga sezoni i ri.