Ezmiralda Franja, mesfushorja e Kombëtares shqiptare dhe Vllaznisë është “Topi i Artë” 2024. Në garë për këtë çmim tepër të rëndësishëm ishin edhe futbollistet, Xhesika Ndoj (Apolonia), Mesuare Begallo (Gramshi) dhe Vanesa Levendi (Apolonia).
Trofeun e rëndësishëm ia dorëzoi Ezmiralda Franjes i ftuari special i FSHF-së në këtë event special, Gaizka Mendieta. Ish-futbollisti i njohur ka qenë kapiten i Valencias, ka luajtur me Barcelonën, Lazion etj, si edhe me kombëtaren e Spanjës. Mendieta përshëndeti të pranishmit dhe uroi Franjën e të gjithë fituesit e tjerë të këtij edicioni të “Topit të Artë”. “Është nder të jem sot këtu. Përgëzoj fituesit dhe i them të vazhdojnë të frymëzojnë të rinjtë. Përgëzoj Federatën për punën”
Ezmiralda Franja fiton për herë të parë këtë trofe, teksa ka qenë në listën e të nominuareve edhe në edicionet e kaluara. Mes shumë emocionesh, mesfushorja e talentuar tha: Sot jam shumë e lumtur, nuk e kam menduar që do arrija kaq lart kur nisa të luaja futboll. Falënderoj Presidentin e Vllaznisë, Lazer Matija dhe shoqet e ekipit që bënë të mundur që unë të fitoj këtë trofe. Ia dedikoj familjes time dhe në veçanti mamit tim, që ëndërroi të bëhej futbolliste, por nuk ia doli dot”.
"Në momentin që vendosa të merresha me futbolll kurrë se kam menduar që do të arrija kaq larg. Jam shumë e lumtur. Falenderoj trajnerin e ekipit Llazarin dhe shoqet e ekipit. Është shumë e vërtetë që mamaja ime donte të bëhej futbolliste. Unë ia dedikoj asaj këtë çmim, pasi ajo nuk u bë dot. Shkodra është djepi i futbollit dhe në futbollin e femrave është e para”, u shpreh Franja.
