
Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit (BASHF) zhvilloi sot punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Në këtë Asamble morën pjesë anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Bardhyl Jera, Drejtori Administrativ i FSHF, Aldi Topçiu, Presidenti i BASHF, Tahir Kastrati, Sekretari i Përgjithshëm i BASHF, Klajdi Kola, anëtarët e KE-së të BASHF, Idriz Gashi, Ervis Peza, Dritan Salaj e Sokol Avdo dhe delegatët e mandatuar nga kolegjiumet e arbitrave në të gjithë vendin.
Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Bardhyl Jera, në përshëndetjen e tij theksoi se viti që lamë pas ishte shumë i suksesshëm, duke marrë parasysh angazhimin e arbitrave shqiptarë në kompeticionet europiane.
“Është një kënaqësi që jam pjesë e Asamblesë së Zakonshme të Bashkimit të Arbitrave Shqiptarë të Futbollit. Viti që lamë pas ishte jashtëzakonisht i suksesshëm, duke pasur parasysh angazhimin e arbitrave tanë në kompeticionet europiane, si Europa League dhe Conference League.
Një risi e rëndësishme është sistemi VAR, i cili na jep mundësinë të jemi më të besueshëm, si dhe rekrutimi i të rinjve në botën e arbitrimit, që është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e këtij profesioni”, tha Bardhyl Jera.
Presidenti i BASHF, Tahir Kastrati, tha se fokusi kryesor ka qenë përfshirja sa më e madhe e të rinjve në botën e arbitrimit dhe shtoi se në këtë aspekt është bërë një punë e mirë edhe nëpërmjet fushatave të ndërmarra, si “Bëhu Arbitër”.
“Në periudhën midis dy asambleve kanë ndodhur shumë gjëra të rëndësishme, ku fokusi kryesor ka qenë rekrutimi i sa më shumë arbitrave të rinj. Ka disa vite rresht që është organizuar dhe ka funksionuar Akademia e Arbitrimit me iniciativën direkte të Presidentit të FSHF-së. Shoqata ka pasur dhe vazhdon të ketë një bashkëpunim me UEFA-n, ku sot jemi anëtarë me të drejta të plota në Konventën e Arbitrave Europianë, nga e cila marrim një mbështetje modeste financiare. Kemi gjithashtu një bashkëpunim shumë të mirë me FSHF-në, ku jemi edhe anëtarë të saj. Në bashkëpunim me FSHF-në kemi ngritur të gjitha strukturat e arbitrave, siç janë Komiteti i Arbitrimit dhe komisionet përkatëse (caktimit, vlerësimit, vëzhgimit). Një punë e mirë është bërë për edukimin e arbitrave të perspektivës, të ndarë në grupe dhe të udhëhequr nga mentorët.
Tashmë, në bashkëpunim me FSHF-në dhe me nismën personale të Presidentit Duka, është rritur bashkëpunimi me shoqatat rajonale, duke u punësuar edhe një koordinator për çdo shoqatë rajonale. Koordinatori është pika e kontaktit mes shoqatave rajonale dhe shoqatës sonë. Gjithashtu, një nga detyrat kryesore të tyre është rekrutimi i sa më shumë të rinjve për t’u bërë pjesë e botës së bukur të arbitrimit.
Duke vijuar me pjesën e rekrutimit, për t’u përmendur ka qenë fushata “Bëhu Arbitër”, ku të gjithë arbitrat, nga muaji janar e në vazhdim, kanë veshur bluzën me të njëjtin mbishkrim, si edhe do të mbajnë shiritin në krah gjatë gjithë ndeshjes deri në fundin e këtij sezoni”, – tha Presidenti i BASHF, Tahir Kastrati.