
Manchester City rrezikon të përjashtohet nga kompeticionet e futbollit europian. Klubi i njohur anglez dyshohet se ka shkelur rregullat e financimit të vendosura nga UEFA (Fair Play Financial). Në një reagim zyrtar të kreut të Komisionit të Kontrollit Financiar Yves Leterme, "qytetarët" mund të ndëshkohen rëndë nëse verifikimet e llogarive të financiare të klubit nuk përputhen me rregullat e konkurencës financiare të vendosura nga institucioni i futbollit europian.
"Nëse ajo që është shkruar është e vërtetë, mund të ketë një problem serioz, që mund të çojë edhe në një ndëshkim të rëndë, si për shembull, përjashtim nga kompeticionet e UEFA-s. Nëse vërtetohet që informacioni është i saktë, atëherë kjo bie ndesh me atë që ka deklaruar vetë klubi anglez.
Klubet depozitojnë pasqyrat financiare, dhe më pas jemi ne që kryejmë kontrolle rastësore në lidhje me saktësinë e këtyre deklaratave", deklaroi ish-kryeministri i Belgjikës.
Grupi "Abu Dhabi United" që ka pronësinë e Manchester City ka sponsorizuar klubin britanik me 67 milionë €, nga të cilat 9 milionë kanë ardhur nga kompania ajrore. Pikërisht këto të ardhura konsiderohen të parregullta nga UEFA.