Brighton do të presë në shtëpi Romën mbrëmjen e së enjtes për të luajtur ndeshjen e kthimit në kuadër të fazës së “Play-Off” të 1/8-ve të Europa League. Sfida e parë e zhvilluar në “Stadio Olimpico”, përfundoi me fitoren e thellë 4-0 të italianëve. Ndërsa në konferencën për shtyp një ditë përpara kësaj sfide, trajneri i Brighton, Roberto De Zerbi shprehet se besojnë te përmbysja e madhe. Madje shton se pavarësisht si do të shkojnë gjërat në Europa League, vendi i tij i punës nuk vendoset nga ky kompeticion.
“E vërteta është se në ndeshjet e fundit nuk kemi shënuar shumë gola. Megjithatë, kemi krijuar raste. Detyra ime është ta bëj skuadrën të krijojë në fushë, pastaj rastet nëse përkthehen në gol apo jo varen nga shumë faktorë. Lojtarët kundër Romës duhet të mendojnë të luajnë futboll dhe jo për rezultatin e ndeshjes së parë.
Duhet të besojmë, por tani rëndësi nuk kanë fjalët, në këtë moment rëndësi marrin veprat. Për të ardhmen time vendos klubi, unë kam një marrëdhënie shumë të mirë me të gjithë dhe besoj se ky kompeticion nuk e vendos në diskutim të ardhmen time”, është shprehur De Zerbi.