
Goce Sedloski ka folur pas eleminimit nga Champions League. Trajneri i Shkupit u shpreh krenar për lojtarët e tij që bënë një paraqitje dinjitoze kundër Dinamo Zagreb.
Ekipi shqiptar u mposht me rezultatin e përgjithshëm 3-2. Sfida e parë përfundoi 2-2, kurse përballja e sotme 1-0 për kroatët. Pas takimit ka folur trajneri i bardhekaltërve, i cili është shprehur:
“Jam krenar me futbollistët e mi!
Në dy ndeshje, me një ekip si Dinamo, u munduam deri në fund. I paralajmërova lojtarët në pushim që të bënin kujdes në pesë minutat e para, por dështuam, ky është futbolli.
Unë jam krenar me futbollistët e mi që treguan karakter dhe luftuan në çdo cep të fushës. Megjithatë, ne luajtëm kundër një ekipi shumë të mirë me një listë të madhe lojtarësh. Pastaj mungesa e Danfa, lëndimi i Hamidit poshtu ndikoi në lojën tonë, mendoj që këtu ishim të pafat.
Tani ne do të fillojmë përgatitjet për katër ndeshjet e radhës europiane që i kemi përpara dhe do të luftojmë të arrijmë objektivin tonë”.