
Ernest Muçi mund të jetë talenti më i madh që ka prodhuar elita e futbollit shqiptar në vitet e fundit. Ish-i i Tiranës u transferua te Legia para 3 viteve, ndërsa bëri mjaft mirë në pjesën e parë të këtij sezoni.
Ai është lojtari më i vlerësuar nga “transfermarket” në Poloni dhe për këtë 22-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve. Rizespor nga Turqia ishte skuadra e fundit që u përfol për të përfituar shërbimet e tij.
Tashmë gjërat kanë ndryshuar. Dhe pse jo me vrullin e mëparshëm, për Muçin mbetet pista e Fulham në Premier League. Te Legia nuk e lëshojnë kartonin e tij pa një shifër mbi 10 milionë euro. Muçit i ka mbetur dhe 1 vit e gjysmë kontratë dhe kjo i jep gjigantëve polak, mundësinë e negocimit.
Tirana po ashtu do përfitonte shifra të majme për futbollin shqiptar. Nga transferimi i realizuar disa vite më parë, 26 herë kampionët e vendit kanë ruajtur përqindje të kartonit në rast rishitje. Mbetet për t’u parë çfarë do ndodhë në ditët e fundit të merkatos.