Kombëtarja U-16 për vajza është gati të nisë punën për turneun ‘UEFA Development’ për këtë grupmoshë që do të zhvillohet në vendin tonë në datat 7-12 mars e ku veç Shqipërisë do të marrin pjesë edhe Kosova, Andorra e Moldavia.
Ekipi kombëtar i vajzave U-16, të cilat drejtohen nga trajneri Agustin Kola do të nisë grumbullimin të shtunën e 4 marsit në qytetin e Durrësit, ku do të qëndrojë deri në fund të këtij kompeticioni. Tekniku kuqezi ka bërë publike këtë të premte listën me 22 lojtaret e ftuara për këtë turne, teksa ndeshjet do të luhen në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare në Kamëz. Pjesa më e madhe e futbollisteve të thirrura për këtë turne aktivizohen në kampionatin vendas U-16 për vajza, teksa katër prej tyre vijnë nga kampionati i futbollit për vajza në Kosovë, Suedi e Amerikë.
Sfida e parë e vajzave kuqezi do të jetë ajo ndaj Moldavisë më 7 mars, në ora 14:30, ndërsa më 9 mars do të luajnë përballë Kosovës në po të njëjtën orë. Ndeshja e tretë dhe e fundit e këtij turneu zhvillimor, është ajo ndaj Andorrës, në ora 09:30.
Turneu ‘UEFA Development U-16’ për vajza do të ngrejë siparin e shumë turneve të UEFA-s që do të zhvillohen në vendin tonë përgjatë këtij viti. Nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe UEFA-s do të zhvillohen disa turne në Shqipëri, si edhe disa turne të fazave kualifikuese për djem e vajza, dhe turneu ‘Elitë’ për djemtë e moshës U-17.
Më poshtë edhe lista e plotë me lojtaret e grumbulluara nga trajneri Agustin Kola për turneun ‘UEFA Development’ U-16: