
Brazili ishte ndër ekipet pretendente, për disa kryesori, për të arritur triumfin e lavdishëm në Botërorin e Katar 2022. Kombëtarja amerikano-latine po vazhdonte me hapa të sigurtë deri sa përpara u gjet Kroacia në çerek-finale.
Ballkanasit janë një kockë e vështirë për t’u kapërdirë dhe kjo kockë i “ngeci në fyt” Brazilit teksa u kthye në shtëpi me kokën ulur. Trajneri Tite kishte paralajmëruar largimin e tij edhe sikur të fitonte trofeun dhe tashmë stoli i “Seleccao” është vakant.
Mungesa e eksperiencës dhe dështimi ndaj ekipeve europiane, ka bërë që drejtuesit e Federatës braziliane të hedhin sytë për një trajner nga shkolla europiane dhe kush më mirë e përfaqëson këtë shkollë sesa Carlo Ancelotti.
Nëse futbolli do të ishte videogame, Don Carlo do e kishte “ç’liruar”. Trajneri italian ka fituar çdo trofe të mundshëm për të cilin ka konkuruar dhe i mungon vetëm eksperienca në futbollin ndërkombëtar. Tekniku i Real Madrid ka hedhur hije dyshimi më parë për një largim nga spanjollët dhe dëshirën për të marrë një Kombëtare ndaj ky bashkëpunim duket shumë i arritshëm por duhet të presim deri verën që vjen.