Dje, trajneri i volejbollit të Tiranës për femrat, Ardian Gorenca ka festuar 65 vjetorin e lindjes. Klubi bardheblu, Federata dhe Bashkia e Tiranës kanë surprizuar teknikun, duke organizuar për herë të parë një festë në ambientet e Pallatit të Sportit "Fahrije Hoti".
Ngjyrat bardheblu mbizotëruan në këtë përvjetor, me Gorencën që për vite me radhë ka drejtuar vajzat e volejbollit bardheblu, duke qenë një ndër trajnerët e përkushtuar të sportit në Shqipëri.
"Mbrëmja e 20 janarit rezervoi emocione të forta në sallën sportive "Fahrije Hoti". Për herë të parë në historinë e klubit bardheblu, jubileu i ditëlindjes së një trajneri, është festuar në atë "shtëpi" sportive", shkruan mes të tjerash gazetari Met'hasani.
Postimi i plotë:
Mbrëmja e 20 janarit rezervoi emocione të forta në sallën sportive "Fahrije Hoti". Për herë të parë në historinë e klubit bardheblu, jubileu i ditëlindjes së një trajneri, është festuar në atë "shtëpi" sportive. Ardian Gorenca, një nga trajnerët më punëtorë të volejbollit të vajzave në vend, mbushi 65-vjeç dhe drejtuesja e klubit Deborah Keçi mundëdoi një surprizë kaq të madhe për të.
Vajzat volejbolliste dhe përqafimet e tyre, mirënjohjet e dhëna nga federata e volejbollit dhe bashkia e Tiranës, por dhe torta me ngjyrat e skuadrës së Tiranës, lanë pas shumë emocione, lot gëzimi, momente të paharruara, por dhe shpresë dhe ide, për ti respektuar denjësisht njerëzit e ndershëm dhe të sakrificës, ata që punojnë një jetë. Mbi 100 mjeshtër Gorenca dhe faleminderit për gjithçka bëre në klubin Tirana dhe sportin shqiptar.
