
Tirana luan nesër(të mërkurën) takimin e parë të vlefshëm për Champions League, përballë Dudelange. Bardheblutë kanë udhëtuar ditën e sotme drejt Luksemburg, teksa ndeshja zhvillohet nesër në orën 19:30.
Jo vetëm për Tiranën konsiderohet short i thjeshtë ky tur i parë. Është Charles Morren, mesfushori belg i luksemburgasve, që ka folur për këtë tur.
30- vjeçari e quan Tiranën kundërshtar të kalueshëm, teksa nuk i druhet ndeshjes së kthimit, që do luhet në “Air Albania”, pasi thotë se nuk do mbushet.
“Objektivi jonë kryesor është të kalojmë këtë raund, Tirana për ne është një kundërshtar i kalueshëm. Mendoj se nëse ne luajmë në nivelin tonë më të mirë, atëherë i mposhtim. Nëse kalojmë këtë raund atëherë do të kemi në program minimalisht edhe 6 ndeshje, kështu edhe financat e klubit do të përmirësohen”.
Ndeshja e kthimit luhet në Tiranë, stadiumin ku u zhvillua finalja e Conference League, çfarë ndjesie ju jep? “Po, e di do të luhet në një stadium të madh. Është një stadium i mrekullueshëm, por nuk ka për t’u mbushur plot. Do të jetë gjithsesi një eksperiencë e bukur”, tha Morren.