Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OPINION

Më thuaj për kë bën tifo, të të tregoj si dashuron…

Shkruar nga NEWSPORT
Më thuaj për kë bën tifo, të të tregoj si

Nga Iva Tiço

Ka një moment kur ti mund të kesh veshur (ose zhveshur) gjënë më të bukur në botë, të dukesh shumë, shumë bukur e megjithatë asnjë mashkull të mos e kthejë kokën kur kalon, le t’i kërrcasësh takat sa të duash. Kjo ndodh gjithmonë, sa herë ka një ndeshje të rëndësishme futbolli. Jo vetëm nga ato të Kombëtares, që kthehen në festën e të gjithëve, as në ndeshjet e kampionatëve evropianë apo botërorë, kur të gjitha vajzat e dinë që në fillim të vitit se në qershor do kenë një muaj pushime, kur mund të rrinë gjithë mbrëmjet me shoqet e tyre pa e vrarë mendjen nëse janë apo jo tërheqëse për meshkujt, por as të shqetësohen se mos në këtë mes po hyn ndonjë femër tjetër, sepse ata kanë një muaj festë me ndeshje dhe biseda shumë orëshe me to, me birra, me çuna; por edhe ato ndeshjet e rëndësishme të kampionateve evropianë, ku disa skuadra të huaja na paskan kaq shumë tifozë vërdallë, sa të bëjnë të superinformuar për futbollin edhe njerëzit që nuk marrin vesh fare nga ky sport.

Ja provo të hapësh Facebook-un të martave e të mërkurave e të shohësh se si një grup çunash bëjnë disa statuse dhe një grup tjetër i përgjigjet. Ke pastaj në Facebook dhe ca grupime aq të çmendura, sa i bëjnë dhe tag njëri-tjetrit dhe pastaj sheh me orë të tëra hidhje e pritje komentesh (ku sigurisht nuk merr vesh asnjë fjalë) dhe e kupton: kjo na qenkërka ajo gjëja që i bën çunat bashkë!

Pa rrezik duket. E ç‘e keqe mund t’i vijë një lidhjeje në fund të fundit se ai dashka shumë futbollin?! Ja, shoh kolegun e zyrës: djalë i mirë, besnik e i përkushtuar në lidhjen e tij, xhentil por aspak flirtues me vajzat rreth e rrotull, punë e madhe fort se në mesjavë sheh ndeshje (edhe në fundjavë tamam tamam, kampionatet e huaja thotë). Maksimumi nuk kthen përgjigje nëse i shkruan për ndonjë gjë kur luan ekipi i tij i zemrës (dhe të nesërmen nuk është për punë nëse ekipi humbet, është në Facebook duke u zënë me atë grupin tjetër të çunave). Hiq këto dhe është me të vërtetë djalë flori. “Sigurisht që jam i tillë thotë, jam tamam si skuadra ime”. Asaj që më duket si batutë, mendoj t’ia kthej me batutë: “Po ata që janë me Manchesterin, si janë?”. “Kumarxhinj”, më thotë, “Rriju larg!”

Nuk më ka shkuar ndonjëherë në mendje që skuadrat na paskan lidhje me karakterin e tifozave të tyre. Por pastaj kolegu më jep disa shembuj të çunave që i njohim të dy dhe më duket sikur përputhen. Pastaj bëjmë një xhiro dhe tek zyra ngjitur, ku tifozat janë dakort me këtë teori, por jo me përfundimin e Manchesterit… Dhe pas një rrahjeje disaditore mendimesh (pa birra, se jemi në zyrë), arrijmë të bëjmë një “udhëzues” për vajzat, që mund ta kthejnë kështu futbollin në një aleat për të njohur karakterin e të dashurit të tyre. (sigurisht që unë nuk kam asnjë mendim nga ato më poshtë, pasi për mua janë si në një gjuhë të huaj).

E nisim me tifozët e Interit, sepse nga sa kam pare, miqtë e mi në Facebook, janë ata që bëjnë më shumë statuse dhe ankohen më shumë. Sipas shokut tim të zyrës, janë shumë qaramanë dhe u duket sikur çdo padrejtësi që ndodh, u ndodh pikërisht atyre, se çdo gjë që ndodh në botë, është kundër tyre. Ankohen shumë dhe urrejnë Milanin dhe Juven, për ta nuk ka rëndësi të fitojë skuadra e tyre, rëndësi ka të humbasin këto të dyja. Në Facebook janë pikërisht gjithë friends-ast e mi që bëjne statuse, sipas të cilëve faji është gjithmonë i arbitrit. Dhe siç është faji i arbitrit, edhe në lidhje për çdo gjë faji është i partneres. Mund të çarmatoset duke marrë përsipër fajin (punë e madhe) dhe të mirëkuptohet: në fund të fundit skuadra e tyre fiton rrallë dhe tamam tamam u bënë vite që nuk ka fituar. Në botëror bëjnë kryesisht tifo për Brazilin, sepse u ka mbetur sahati tek Ronaldo. Nga kjo mund të kuptohet që janë natyra nostalgjike, me kokën gjithmonë pas.

Pastaj janë tifozat e Juventusit, shumica e të cilëve bëjnë dhe tifo dhe për Italinë. Ndryshe nga këta të parët, nuk para të ankohen për padrejtësitë dhe duket se gjithmonë e pranojnë rezultatin, edhe nëse bëhet diçka kundër ekipit të tyre e pranojnë dhe ecin përpara. Janë natyra krenare, mjaft krenarë për ekipin dhe u pëlqen të fitojnë gjithmonë, kanë “kompleksin” që nuk janë aq të suksesshëm nëpër Evropë sa ç’janë brenda Italisë, kjo i bën të jenë më të përmbajtur dhe në jetën e përditshme për t’u mburrur me arritjet e veta. Ekipi ka një mbrojtje shumë të fortë, kështu sillen dhe tifozët në një lidhje, luajnë gjithmonë në mbojtje, nuk shkasin kollaj dhe pak nga pak shkojnë deri në fund, siç bën Italia nëpër kampionate.

Tifozëve të Milanit nuk u intereson fare kampionati italian, krenohen vetëm me Champions League. Nëse bën debat me një milanist, edhe kur është i zhytur, mburret më shumë me kupat dhe se sa herë skuadra ka qenë kampione. Një çun i tillë i bie të kërkojë gjithmonë “gruan trofe”, atë me të cilën do mburret tek të tjerët. Ashtu si juventinët janë krenarë, ndodh të ankohen, por më rrallë se interistët dhe nuk janë natyra qaramane. Kanë respekt reciprok me Juven dhe të dy bashkë urrejnë Interin.

Bayern është ekipi i vetëm më të cilin janë tifozë ata që bëjnë tifo për Gjermaninë, gjithë ekipet e tjera punojnë për të, ndaj dhe është dominant. Meshkujt që zgjedhin këtë ekip janë dominantë, kanë një krenari që shkon përtej narcizimit për veten, janë komplet gjermanë. Janë natyra tradicionale, nuk e lënë asnjëherë ekipin pa e pare, duke e ndjekur me besnikëri. Mund të jeni të qeta se janë besnikë, ama kanë të keqen e madhe që po fituan, ta përsërisin këtë njëqind herë.

Tifozët e Barcelonës janë delikatë, janë mësuar me fitore, me triumfe, me lojë të bukur, me romantizëm. Janë fanatikë pas ekipit të tyre, sidomos në lidhje me Realin, nëse një lojtar i tyre do kalojë me Realin, atëherë do e shpallin njëherë e mirë tradhtar. Në Shqipëri janë kryesisht tifozë me moshë të re, sepse vetëm tani ekipi është duke jetuar vitet e veta më të mira. Kur humbin, pezmatohen direkt, kurse kur fitojnë bëhen menjëherë shumë alegro dhe bujarë. Eshtë ekip që dashurohet edhe nga tifozet femra, kështu që kanë fatin të gjejnë dhe ndonjë shpirt binjak dhe të rrojnë të lumtur duke parë ndeshje në çift.

Reali bashkë me tifozët e tij është ekipi që mburret me 11 kupa në Europë. Janë trimfues, protagonistë, ndodh ç‘ndosh, në fund do jetë gjithmonë aty. Në Shqipëri tifozët po vijnë gjithmonë e më shumë në rritje, bashkë me rivalitetin me barcelonezët. Kjo i karakterizon tifozët edhe në lidhjet e dashurisë, kërkojnë me çdo kusht të mposhtin rivalët dhe janë mjaft krenarë për këtë.

 

Tifozët e Mançesterit mendojnë se hanë bukë veç, sic janë anglezët në përgjithësi, siç i japin edhe makinës në krah të kundërt. Kanë krenari për çfarë ka bërë ekipi i tyre, kryesisht në Angli. Vitet e fundit u ka rënë ca bishti, por gjithsesi mbeten tifozët më të zjarrtë dhe siç janë dhe vetë anglezët, tifozët e këtij ekipi janë të zhurmshëm, konsumues birre dhe lojrash fati.

Tifozat e Çelsit në Shqipëri e kanë kanë këtë si ekip rezervë, krahas një skuadre tjetër, që e duan me zemër, ndaj dhe ndodh të kenë ndonjë grua rezervë herë pas here. Kurse ata që zgjedhin ekipet franceze zgjedhin pra kampionatin më të dobët, sepse edhe në jetë nuk u pëlqen të përballen me emocionet e forta dhe zgjidhjet e vështira.

Meshkujt që janë më të dhënë pas shoqërisë duan që edhe ndeshjet t’i shohin në grup, sidomos nëse shokët e tyre bëjnë tifo për ekipin kundërshtar. Ata që i shohin ndeshjet vetëm në shtëpi, në përgjithësi janë më vetmitarë, nuk duan të kenë pranë dëshmitarë kur shajnë, mallkojnë, as kur gëzojnë. Ata që janë fanatikë të ekipit nuk duan t’i ndërpresë askush, të mos u bjerë telefoni dhe urrejnë t’i pyesësh “kush po luan”. Mos i fol dhe aq. Në fund të fundit është thjesht ndeshje dhe lajmi i mirë është që tani ka mbetur edhe një. Ke përpara një verë të qetë pa futboll dhe pa biseda për të në zyrë.

 

Nga përshkrimi aspak objektiv më sipër, a e gjen dot kush për kë bën tifo kolegu im i zyrës?

Tags:

OPINION

Poll

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga