Ndeshja mes Teutës dhe Erzenit është parë që nga sezoni i kaluar si Derbi. Dhe pse ndryshe nga ndeshjet e tjera që konsiderohen derbi, të dyja tifozëritë kanë marrëdhënie mjaft të mira me njëra-tjetrën.
Takimi i radhës mes tyre është këtë javë, të shtunën në orën 17:00 te stadiumi “Niko Dovana”. Të dyja klubet luajnë për mbijetesë. Aktualisht Erzeni mban vendin e 8 që të çon në “Play-Out”. Në anën tjetër Teuta vetëm me 1 pikë më pak renditet i parafundit.
Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë. Kujtojmë se Erzeni e ka përdorur stadiumin “Niko Dovana” për të pritur ndeshje gjatë sezonit të kaluar. Dhe çfarë ka rënë në sy ka qenë mbështetja e tifozëve shijakas. Ky takim i radhës pritet me emocion pasi skuadrat kanë objektiv të njëjtë këtë sezon.