
Teuta takohet me Flamurtarin për herë të dytë këtë sezon ditën e shtunë në orën 17:00 në stadiumin e vlonjatëve "Flamurtari".
Kjo sifdë, përveçse një duel për të siguruar vazhdimësinë e rezultateve pozitive, është një sifdë "ish"-ësh. Mesfushori i Teutës Lancinet Sidibe sezonin e kaluar ka veshur ngjyrat kuq e zi të Flamurtarit, por për afrikanin 21-vjeçar, Vlora është një kapitull i mbyllur dhe tani për të ka rëndësi vetëm Teuta. Në një prononcim për "Supersport", Sidibe deklaron se dëshiron të japë maksimumin në këtë ndeshje duke vlerësuar njëkohësisht " Djemtë e detit" dhe teknikun Bledi Shkëmbi.
"E respektoj Flamurtarin, sezonin e shkuar isha pjesë e skuadrës dhe kjo është një ndeshje e veçantë për mua, e dua Flamurtarin, por është futboll dhe ne shpesh herë jemi si turistë, një periudhë luajmë për një skuadër në një moment tjetër ndryshojmë fanellë. Natyrisht dua të bëj maksimumin në këtë takim, ndoshta edhe më shumë se në ndeshjet e tjera, sigurisht synimi im është ta fitoj këtë sfidë. Jam shumë i lumtur për këtë ecuri të skuadrës sepse për mendimin tim Teuta këtë vit është ekipi më i mirë. Jemi të gjithë si një familje, kemi një trajner shumë ta aftë dhe çdo gjë po shkon në mënyrën e duhur", shprehet Sidibe.