Ditën e nesërme starton zyrtarisht Basketbolli për femra në Shqipëria. Në këtë sezon nuk jetë skuadra kampione e Tiranës SH.K.B.T.F. (Shoqata e Klubit të Basketbollit të Tiranës të Femrave). Klubi I Tiranës është tërhequr nga gara për shkak të mungesës së fondeve dhe klubi ka marrë vendim që të mos konkurrojë këtë edicion të ri. Në një intervistë për “RTSH Sport”, ka folur edhe trajneri I skuadrës Erdal Borova.
Profesor, një ditë përpara fillimit të kampionatit kombëtar të sezonit 2019-2020, Shoqata e Klubit të Basketboll Tirana është tërhequr nga gara. Çfarë ka ndodhur realisht?
Ka ndodhur ajo që ekipi kampion në fuqi i Shqipërisë tërhiqet për mungesë të financave. Ana jonë financiare deri vitin e kaluar ishte e mbështetur vetëm tek donacionet e firmave, apo dhe personave të veçantë, dashamirës të ekipit tonë. Por duke filluar nga sot, ekipi i Tiranës në basketboll për femra tërhiqet nga kampionati dhe të gjitha vajzat janë të lira të zhvillojnë aktivitetin e tyre në çfarëdolloj skuadra që ato do të dëshirojnë.
Cilat kanë qenë hapat për ta mbajtur të lidhur, apo të bashkuar këtë skuadër për të mos u shkërmoqur?
Ne jemi shumë të zhgënjyer që ekipi jonë, i cili pas 20 vitesh ktheu titullin në Tiranë, ndërsa më parë është fituar nga Luftëtari, Flamurtari apo dhe Apolonia. Sepse mendonim që interesi ndaj skuadrës tonë do të ishte shumë i madh, maksimal dhe besonim se do të gjenim më shumë mbështetje nga sa kemi gjetur vitin e kaluar nga donatorët e tjerë. Por rezultoi krejtësisht e kundërta që ekipi jonë nuk siguroi as dhe një financë të vogël, e cila do të ishte thjeshtë për një mbijetsesë, thjeshtë për regjistrimin e ekipit në Federatë, thjeshtë për udhëtimet ose edhe për qiratë e Pallatit të Sportit ku do të bënim stërvitje dhe ku do të bënim ndeshjet tona. Dhe as nuk e çonim ndërmend të bënim një pagesë për lojtaret tona, që ishte fare normale, sepse po luajmë një basketboll ku po shkojmë drejt profesionalizmit së këtij sporti. Ndërkohë që hapat tregojnë se ne po kthehemi mbrapa e drejt një amatorizmi të theksuar. Vajzat, bashkë me mua dhe stafin teknik, vendosëm që edhe pa pagesa mund të vazhdonim kampionatin. Por nuk arritëm të siguronim dhe financën më të vogël për qeranë e Pallatit të Sportit, për udhëtimet, për pagesat e gjyqtarisë dhe ne e pamë komplet të pamundur që të vazhdonim më tej. Pra zhgënjimi jonë është mjaft i madh, sepse mendonim që edhe Bashkia e Tiranës, e cila na kishte premtuar se do të na ndihmonte sado pak, ashtu sikurse ndihmon edhe shoqatat simotra si Shoqata e Basketboll Tirana, Shoqatën Studenti, apo dhe Shoqatën Partizani. Dhe mendonim që ekipi kampion do të kishte të paktën një mbështetje të barabartë me këto ekipe. Por rezultoi komplet e kundërta dhe ne e shohim veten tani jashtë.
Ndërkohë kampionati nis nesër zyrtarisht. Të gjitha këto lojtare që ju keni patur, ku do të jenë?
Ne jemi jashtë, po e theksoj dhe një herë, jo për dëshirën tonë, sepse mendonim që një punë e nisur do të vazhdonte me hapa më të mëdha. Mendonim të shkonim dhe diku më larg se sa Shqipëria për të konkurruar në Evropë, por ne shohim që as në Shqipëri nuk ia dalim dot. Prandaj po bëj një kërkesë, një thirrje, që ia kam bërë shumë kohët e fundit komunitetit të basketbollit, nëse shteti e ka të pamundur të na ndihmojë duhet të na krijojë lehtësira të tjera për të ndihmuar sportin. Flitet shumë për paketën ligjore që do të dali për sportin, apo për sponsorizimin, dhe shpresojmë shumë se sa më shpejt të realizohet, sepse të paktën do të jetë një lloj ndihme nga biznesi për sportin. Ndryshe unë e kam thënë, basketbolli i femrave do të shkojë drejt shuarjes.
Tetë skuadra në një kampionat, kur në nëntor ne nisim dhe kualifikueset e Evropianit me femrat, sa e dëmtojnë në cilësi basketbollin?
Basketbolli tashmë është shumë i dëmtuar. Nuk ka më dhe unë mendoj se kemi prekur limitet. Në një kampionat që zhvillohet me tetë skuadra, kur asnjë ekip as nuk hyn dhe as nuk del në Kategori, atëherë çfarë mund të mendojmë. Ekipet të cilat mbijetojnë, siç është rasti jonë, por mund të them dhe ekipet e tjera, të cilat mbijetesën e kanë nga Bashkitë, që me plotgojë mund ta quaj lëmoshë, të cilët sportin e shohin si hallkë të fundit, sepse kanë probleme të tjera për të zgjidhur, mendoj që basketbolli i femrave në Shqipëri është në nivele të dobëta, jo më të bëjmë krahasime me nivelin evropian ku ne do të marrim pjesë.