Çështja Griezmann pati sjellë edhe përplasjen e dy klubeve gjigantë të La Liga, Barcelona dhe Atletico Madrid. Sulmuesi pas aventurës 2 vjeçare në Katalunja, u rikthye në formë huazimi te Los Colchoneros por me disa klauzola të veçanta. Nëse ai do të luante mbi 50% të minutave atëherë madrilenët duhet të paguanin 40 milionë euro për blerjen e detyrueshme të francezit.
Për të shmangur këtë obligim, Atletico përdori një “taktikë” të veçantë. Ata e kanë përdoru Griezmann vetëm në pjesën e dytë duke luajtur çdo ndeshje rreth 30-40 minuta duke sjellë edhe revoltën e Barcelonës. Së fundmi, dy klubet janë ulur në tavolinë dhe mësohet se Atletico ka arritur një marrëveshje për blerjen definitive të Griezmann për 20 milionë euro, gjysma e klauzolës së parë.