Gjergji Stefa, gazetari i njohur sportiv ka folur për derbin e kryeqytetit, Tirana-Partizani. Sfida e luajtur pak ditë më parë në "Air Albania" u mbyll me fitoren 1-0 për bardheblutë, falë golit të shënuar nga Limaj me penallti. Në këtë takim Tedi Cara ishte një nga mungesat e rëndësishme të Partizanit, por Stefa i ftuar në emisionin "Skaner" nuk e konsideron si mungesë të madhe pasi nëse Cara quhet mungesë e madhe atëherë të kuqtë nuk janë për titullin kampion.
"Tedi Cara mungesa e madhe? Kam respekt për çdo lojtar të Partizanit dhe për Carën që për mendimin tim është një nga lojtarët më të talentuar të kampionatit shqiptar. Nëse themi që Cara është mungesa e madhe e Partizanit në derbi atëherë Partizani nuk është për kampion".
Derbi? "Unë isha në stadium për derbin dhe pas shumë viteve e ndoqa në një tribunë me tifozët. "Air Albania" është një stadium shumë i mirë, në krahasim me atë oturakun e mëparshëm. Sot Disiplina dënoi Partizanin për 4 ndeshje pa tifozë. Po çfarë ndodhi atë ditë?! Asgjë. Disiplina sot iu rikthye traditës së vjetër. Ky institucion është më anti-sportivi. Nuk ka vend me dënime më ekstreme në futboll se Shqipëria në 10 vitet e fundit", u shpreh Stefa.