
Afrim Taku ka qenë pa diskutim një nga më të mirët në fushën e lojës dje për Tiranën, së bashku me Ilion Likën dhe Dorian Kërçikun, pa veçuar pjesën tjetër të bardhebluve që në kompleks zhvilluan një ndeshje shumë të mirë ndaj Flamurtarit.
Por, i natyralizuar tashmë në rolin e sulmuesit të djathtë, Taku ka shënuar tre gola në 5 ndeshjet e këtij sezoni në kampionat dhe për një lojtar që është aktivizuar si mbrojtës i djathtë dhe mesfushor qendre gjatë gjithë karrierës së tij, një statistikë e tillë është vërtet shumë pozitive.
I ftuar dje në emisionin sportiv "Ora Skaner" në "Ora Neës", 25-vjeçari ka përmendur ndër të tjerat edhe tifozët bardheblu si një pjesë të pandarë të ekipit më të titulluar në vend.
"Në 4 javët e para morëm vetëm barazime. Por, loja ka ardhur në rritje, çka na bën optimistë. Ndaj Flamurtarit duhet ta fitonim me çdo kusht. Jemi më të çliruar tani. Sulmi? Kemi krijuar shumë raste, por nuk i kemi shfrytëzuar siç duhet.
Për sa u përket tifozëve tanë, ata janë vetë skuadra e Tiranës. Janë së bashku me ekipin në çdo situatë, në çdo hap dhe janë një arsye më shumë për ne për të fituar. Skënderbeu? Nuk është një ekip me diferenca të mëdha nga të tjerat. Por ka një avantazh, sepse ka ruajtur grupin e skuadrës", u shpreh Afrim Taku.