
Kombëtarja shqiptare do të luaj një ndeshje jetike përballë Polonisë, sonte në orën 20:45 në stadiumin ‘Air Albania’. Kuqezinjtë presin polakët për një finale të parakohshme që do të ketë një peshë shumë të rëndësishme për fatet e kualifikimit në Euro 2024.
Përgatitjet janë mbyllur të gjitha dhe skuadrat janë gati për fërshëllimën e parë, njëjtë si edhe tifozët të cilët prej orësh marshojnë në lokalet e rrugët e kryeqytetit.
Trajneri Sylvinho ka përzgjedhur edhe listën finale të 23 lojtarëve për këtë ndeshje. Nga 25 lojtarët e grumbulluar fillimisht, Qazim Laçi u largua pas gjendjes gripale ndërsa duhet të ‘fshihej’ edhe një tjetër emër sipas rregullave të UEFA-s.
Braziliani ka zgjedhur të dërgojë në tribunë, Arlind Ajetin dhe të rikthejë rraketën kuqezi, Odise Roshin, i cili ishte i përzgjedhuri për t’u lënë jashtë në sfidën me Çekinë.