
Partizani do të luajë kundër Tiranës, ndeshje e vlefshme për javën e 22-të të Superiores. Të kuqtë e drejtuar nga trajneri Sulejman Starova do të kërkojnë me ngulm fitoren, për të mos iu shkëputur Kukësit dhe Skënderbeut. Dje, të besuarit e Starovës kanë zhvilluar seancën e radhës stërvitore në "Pezë-Helmës", ku kanë marrë udhëzimet e radhës për derbin e së hënës.
Në fund të kësaj seance është zhvilluar një mini ndeshje, ku tekniku kryeqytetas ka provuar formacionet e mundshme që mund të hedhë në fushë kundër bardhebluve. Ajo që ra në sy ishte përfshirja në formacionin e parë e Sukajt dhe Filit. Nuk dihet se si do të rreshtohet Partizani kundër Tiranës, megjithatë tashmë nuk do të jetë surprizë të shohim bomberin shkodran ta nisë ndeshjen si titullar.