Ditën e sotme u mblodh Asambleja e Jashtëzakonshme në Tiranë për të zgjedhur kryetarin e ri të Federatës Shqiptare të Atletikës. Në përfundim të Asamblesë, Taulant Stërmasi u zgjodh si i duhur për këtë post të rëndësishëm.
Stërmasi është trajneri i Luiza Gegës me të cilën ka arritur suksese historike për flamurin shqiptar dhe tani i besohet një tjetër detyrë. Trajneri i mirënjohur do të drejtojë atletikën shqiptare deri në përfundimin e Lojërave Olimpike “Paris 2024”, kur dhe mbyllet cikli olimpik.
Në garën për postin e presidentit të FSHA-së ishin edhe Artan Shyti e Ferdinand Canaj. Gjithsesi, Canaj e Shyti nuk arritën dot të fitojnë garën me Stërmasin. Në votimet e para, Stërmasi mori 8 vota, Canaj 6 e Shyti 3 vota, duke bërë që dy më të votuarit të shkojnë në balotazh. Në votimin e dytë, Taulant Stërmasi mori 10 vota e Ferndinand Canaj 7 vota. Kujtojmë që votues janë të gjitha klubet e licensuara të atletikës shqiptare.