
Sot shënojnë 20 vite që nga koha kur Kombëtarja shqiptare futbollit merrte një nga fitoret më të bujshme në histori. Më 4 shtator të viti 2004, Shqipëria mposhti Greqinë me rezultatin 2-1.
Grekët vinin në stadiumin “Qemal Stafa” si kampionë të Europës, pasi kishin mposhtur Portugalinë në finale. Megjithatë, “Kjo nuk është Portugali” ishte banderola që mesa duket frikësoi grekët.
Goli i Edvin Muratin në minutën e 3-të të takimit dhe më pas supergoli i Adrian Aliaj nga goditja e dënimit bënë që Shqipëria të udhëhiqte me rezultatin 2-0. Goli i Greqisë i shënuar më pas nga Janakopulos ishte thjeshtë për statistika.
Kjo ishte një nga fitoret historike të Kombëtares shqiptare, e cila solli festë të çmendur jo vetëm në vendin tonë, por kudo ku kishte shqiptarë. Edhe sot, 20 vitë më pas, emocionet janë po të njëjtat sa herë kujtohet ajo sfidë.