Humbja e mbrëmshme e Shqipërisë 2-1 ndaj Polonisë ka ngjallur debat të madh edhe në opinonin publik. Si në çdo ngjarje me rëndësi kombëtare, edhe në këtë rast opinioni është pozicionuar në dy kahe. Ka nga ata që mendojnë se cikli i Sylvinhos ka përfunduar, ndërsa të tjerë shprehen se trajneri bëri gjithçka mirë për të fituar ndaj polakëve.
E pikërisht në këtë debat verbal kanë përfunduar Pano Soko dhe Gjergj Petro. Eksperti i ekonomisë dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit kanë qasje të ndryshme sa i përket 90 minutave të Varshavës. Soko shkruan se Sylvinho “duhet të largohet”, ndërsa Petro i thekson se analiza për performancën e trajnerit nuk bëhet në një ndeshje.
Ndërsa në fund e fton që të qëndrojë te fusha e ekonomisë, aty ku ka shkëlqyer gjithmonë dhe jo të nxisë opinionin për çështje që nuk kanë të bëjnë me fushën e tij profesionale. I pari që shkruante ishte Pano Soko menjëherë në përfundim të ndeshjes së Kombëtares:
“Sylvinho duhet të largohet!
Boll më me mbrojtjen poshtë. Ma shpif totalisht. Nuk dimë të dalim para, jemi të avashtë, bëjmë pasime shterpë. Luajmë pa asnjë plan. I vetmi plan që kemi është të bejmë 10 pasa mbrapa dhe të nisim top të gjatë me shpresë se ishalla ju rrëshket topi atyre. Futboll totalisht patetik dhe i shëmtuar.
Dhe nuk jemi dot as pragmatist. Duam 10 raste të bëjmë një gol.
Ndërsa Kosova është një super ekip. Është ekipi që i ngjan më shumë Liverpoolit të Klopp. Vrapojnë, pasojnë vertikal, triblojnë, e dinë si do shkojnë te porta. Me të kënaq syrin. Nëse do kishte pasur shortin tonë të playoff-it, do ishin të sigurtë në Botëror.
Ishalla kalojnë Turqinë, se vërtet luajnë futboll që të kënaq.
Para shqipe!”.
E pikërisht në këtë status të tij, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, Gjergj Petro i komentonte: “Aman të keqen se na habitët me këto mendime. Direkt dilni në analizën të hiqet trajneri. Po rri mirë aty te ekonomia o zotëri. Si mund të japësh këto ide që nuk kanë lidhje me fushën tënde por thjesht një hobi? Nga pikëpamja taktike ishte çdo gjë përfekt apo do të gjeni ju shqipot gjithmonë një gjë që të dilni te heqja e trajnerit. Prandaj nuk bëhemi ne se ju kemi ju gjithollogët që flisni edhe për ekonominë, politikën, luftën në Iran, seksin, abetaren, krimin, korrupsionin, çështjet sociale, ping-pongun, basketbollin e pastaj pasi flisni për gjithçka, dilni te futbolli si ekspertë. Keq e më keq do të katandisemi me ca si ju që çorodisni njerëzit sepse u jepet hapësirë gjithandej”.
Kujtojmë që Shqipëria u mposht mbrëmë në Varshavë me rezultatin 2-1, takim që e eleminoi nga Play Off i Botërorit “Amerikë 2026”.
