
Superiorja ditën e djeshme mbylli javën e 8-të të saj dhe tashmë për ekipet do të ketë pak më shumë kohë për frymëmarrje. Kjo pasi tashmë Superiorja i lë “stafetën” Kombëtares, me kuqezinjtë që do të luajnë dy sfida të rëndësishme në Nation League.
Ekipi i Sylvinhos do të nisë ditën e sotme grumbullimin, për të filluar më pas përgatitjet për sfidën me Çekinë më 11 tetor në “Epet Arena” në orën 20:45 dhe 3 ditë më vonë ndaj Gjeorgjisë në “Mikheil Meskhi” në orën 18:00. Dy përballje mjaft të rëndësishme për rrugëtimin e kuqezinjve në Nations League.
Kuqezinjtë do të grumbullohen në Tiranë nga nesër, ku do të stërviten deri ditën e enjte e më pas do të udhëtojnë drejt Pragës. Grupi pritet të kompletohet ditën e hënë, pasi të gjithë futbollistët e thirrur të kenë përfunduar impenjimet me ekipet respektive.