
Shqipëria fatkeqësisht nuk ia doli të fitonte ndaj Spanjës, me këto të fundit që triumfuan 1-0. Një humbje që detyroi kuqezinjtë t’i japin lamtumirën Euro 2024, i cili padiskutim ishte i jashtëzakonshëm për gjithë shqiptarët.
Pas këtij eliminimi ka reaguar Armand Duka. Kreu i FSHF-së në rrjetet sociale ka shkruar se më shumë se çdo herë tjetër ndihet krenar për këtë skuadër. Ndër të tjera falenderon futbollistët, stafin teknik dhe tifozët që mbushën sheshe, rrugë e tribuna.
“Faleminderit!
Jemi jashtë Euro 2024, pas tre ndeshjesh në një grup me skuadra si Italia, Kroacia e Spanja, por duhet të jemi krenarë. Duhet të jemi krenarë që djemtë na sollën në këtë Europian, duhet të jemi krenarë për atë që dhanë në fushë, duhet të jemi krenarë që u dhamë bukuri tribunave me ngjyrat tona kuqezi, që mbushëm rrugët dhe sheshet në Gjermani duke shpërndarë shumë dashuri, përmes sportit më të bukur në botë, futbollit.
Faleminderit futbollistëve, stafit teknik dhe të gjithë tifozëve për këtë Europian!”, ka shkruar Duka.