
Myrto Uzuni nuk u grumbullua nga Sylvinho për Europianin e Gjermanisë, duke qenë dhe surprizë në njëfarë mënyre. Sulmuesi i Granadas në Spanjë ishte pjesë e kualifikueseve, por nuk ia doli që përballë emrave të tjerë të fitojë një ftesë.
Nesër Shqipëria luan kundër Spanjës, atë që është ndeshja e fundit në grupin B. Sfidë vendimtare sepse me një rezultat pozitiv Kombëtarja do të siguronte kualifikimin.
Uzuni do të ishte elementi i duhur për këtë takim. Prej më shumë se 2 vitesh ndodhet në Spanjë, teksa sezonin e fundit shënoi 11 gola në elitë.
Sylvinho deri tani mund të konsiderohet ndoshta trajneri më i suksesshëm me Kombëtaren e Shqipërisë. Braziliani i dërgoi kuqezinjtë si vend i parë në Europian përmes kualifikueseve.
Një ndeshje me Spanjën është e vështirë me këdo të jesh në fushë. Tashmë mbetet për t’u parë cilët do zgjidhen si titullarë, teksa sytë janë te trajneri brazilian i Shqipërisë.
Ndeshja me Spanjën luhet nesër ora 21:00. Në Dyseldorf kuqezinjtë do tentojnë të lënë pas një prej Kroacisë ose Italisë, teksa ndodhen në “Grupin e Ferrit”.