Kombëtarja shqiptare do të udhëtojë të enjten për ndeshjen më të rëndësishme të vitit, atë me Poloninë për gjysymëfinalen e play-off, prej nga ku varen dhe shpresat e një kualifikimi të mundshëm drejt Botërorit.
Kuqezinjtë mbajtën të hënën seancën e parë stërvitore, ku vihej re entuziasmi dhe dëshira për të dhënë maksimumin në këto përgatitje. "Djemtë" e Sylvinhos janë të qartë se përballë një kundërshtari si Polonia, me të cilën janë ndeshur shpesh në fushë në vitet e fundit, duhet saktësia dhe preçizioni në metrat e fundit.
Në listë, cilësitë e futbollistëve nuk mungojnë, madje figuron dhe një emër që "ngjall" frikë në radhët e polakëve si Jasir Asani, i cili lëshoi një predhë nga një distancë e largët duke "gjunjëzuar" portierin Szczęsnyn në fitoren 2-0 që i hapi dhe rrugën kualifikimit të Shqipërisë në Europianin e Gjermanisë. Në këtë ndeshje shënoi dhe Mirlind Daku, por sulmuesi i Rubin Kazan mungon në listën e teknikut brazilian për shkak dëmtimi.
Po këtë herë, nga cili prej sulmuesve mund të pritet "goli i historisë" për të kapur finalen e madhe të play-off ndërmjet Ukrainës ose Suedisë, për të prekur më pas dhe Kupën e Botës që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë? Sytë e të gjithëve janë të fokusuar tek prurjet e reja si Ernest Muçi, Anis Mehmeti dhe Armando Broja.
Kushedi, një "rilindje" e Asanit mund të vijë sërish ndaj skuadrës me të cilën ekziston një nuhatje e saktë e golit. Kur mbeten dhe 48 orë nga momenti i së vërtetës, balotazhet janë aty, por fjalën e fundit do ta thotë vetë Sylvinho sa i përket formacionit që do të vendosë në fushë.
