
Policia e Shtetit ka dalë me një plan masash lidhur me ndeshjen ndërkombëtare të futbollit Shqipëri-Andorra e cila do të zhvillohet ditën e nesërme në orën 20:45 në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, bazuar dhe në përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve me përmasa ndërkombëtare.
Masat konsistojnë në shoqërimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të Andorrës, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas, eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium.
Për të parandaluar futjen e sendeve të kundraligjshme në stadium si lëndë piroteknike e flakadanë e sende të tjera shërbimet e Policisë do kryejnë kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, para se të futen tifozët.
Me qëllim garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës, janë parashikuar planëzime të shërbimeve nga Patrullat e Përgjithshme, Shqiponjat, Policia Kriminale, Policia Rrugore dhe Forca Kombëtare e Sigurisë, të cilat do të kenë si prioritet dhe sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës dhe menaxhimin e trafikut rrugor.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, ditën e nesërme, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, do ketë kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht:
*Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”;
* Rruga “Papa Gjon Pali II”;
* Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
* Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së;
* rruga “Themistokli Germenji”;
* rruga “Gjergj Filipi”;
* Rruga “ Lekë Dukagjini”, nga ish-Garda e Republikës deri te stadiumi;
* rruga “Faik Konica”;
* rruga “Skerdilajd Llagami”.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Gjithashtu dublikimi/shumëfishimi i biletës, konsiderohet falsifikim dhe mashtrim, vepra të cilat ndëshkohen nga Kodi Penal i Shqipërisë. Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas radhës, do të kalojë vetëm, për t’ju kontrolluar barcodi nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar.
Hyrja në stadium e tifozëve dhe e sportdashësve që kanë blerë biletë, fillon në orën 18:00.